Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

Shpirti i Uritur

Edukim
Dr. Muhamed Broja|
Shpirti i Uritur

Allahu e ka krijuar njeriun si krijesë në formën më të përsosur, i cili është i përbërë nga dy komponente të njohura: trupit dhe shpirtit.

Të gjithë njerëzit e dinë se për të mbijetuar trupi duhet të ushqehet me haje e pije të shëndetshme.

Edhe shpirti e ka ushqimin e vet por ai i përket një natyre tjetër.

Shumë njerëz duke u nisur nga botëkuptimi materialist për botën mundohen që shpirtin ta ushqejnë me atë që ushqehet trupi duke synuar me këtë lumturinë në këtë botë. Por këtu dështojnë, i vërejmë se nuk e arrijnë lumturinë e shumëkërkuar dhe në zemrën e tyre ndiejnë boshllëk e errësirë.

Ushqimi i shpirtit është njohja e Krijuesit, besimi në Të dhe në gjithë çka ka shpallur Ai, përmendja e Tij (dhikri) dhe gjëra të tjera të kësaj natyre.

Allahu dhe i Dërguari i Tij na kanë informuar për shumë vepra e fjalë që e ushqejnë shpirtin dhe zemrën.

Këtu do të përmendi vetëm një vepër nëpërmjet së cilës ushqehet shpirti dhe kënaqet me të.

Dr. Jasir Deuseri është një recitues dhe këndues i njohur i Kuranit. Njëkohësisht është edhe imam në Qabenë e bekuar.

Në një ligjëratë të tij tregon një ngjarje dhe përvojë mbresëlënëse personale në lidhje me këndimin e Kuranit.

Thotë: Në njërën prej xhamive të Arabisë Saudite, pas namazit të jacisë, isha duke përsëritur Kuran para hoxhës tim. Kishim mbetur vetëm ne të dy në xhami, pasiqë nxënësit e tjerë kishin ikur më herët.

Në një çast, në xhami hyri një djalosh i ri, iu afrua hoxhës duke i thënë: Nuk ndihem mirë, dua të më lexosh Kuran! Në fytyrën e tij, hoxha vërejti shenja të ankthit dhe gjendjes së rëndë shpirtërore. Në atë moment iu përgjigj me fjalët: Biri im! Në këtë çast jam i zënë me këtë nxënës i cili po përsërit Kuran. Por, shko në ballin e xhamisë, fali dy rekate, lexo Kuran, dhe në momentin kur përfundoj do të të thërras e do të të lexoj.

Djaloshi veproi ashtu siç i tha hoxha. Ndërsa, mua më bëri me shenjë ta zgjasja këndimin e Kuranit. Pasi kaluan më shumë se gjymë ore, e thirri djaloshin i cili erdhi me një fytyrë tjetër nga ajo që kishte hyrë në xhami. Iu drejtua hoxhës me fjalët: Allahu të shpërbleftë me të mirat e Tij , por nuk kam nevojë të më bësh rukje.

-Çfarë ndodhi? -e pyeti hoxha.

Pasi që fillova këndimin e Kuranit në ballin e xhamisë ndieva zgjerim të gjoksit dhe ankthi mu largua, -iu përgjigj djaloshi.

Shpirti yt paska qenë i uritur - i tha hoxha- pasi që lexove Kuran shpirti yt u ushqye dhe u ngop.

Në kohën moderne shumë njerëz e sidomos të rinj ankohen nga shqetësimet shpirtërore, ankthi apo shqetësime të natyrave të tjera sikurse mësyshi, sihri etj.

Një pjesë e këtyre shqetësimeve vijnë nga gjynahet, mosnënshtrimi ndaj urdhërave të Krijuesit, ibadeti i paktë etj.

Një pjesë tjetër mund të kenë edhe karakter psikik, gjë që nuk mund ta mohojmë. Prandaj, njeriu në këto raste duhet t’iu drejtohet psikiatërve të specializuar.

Por, një gjë është e sigurtë: Leximi i Kuranit me meditim në të, do t’i largon shumë brenga e probleme me të cilat ballafaqohen njerëzit sot.

Kjo, ngase Allahu ka premtuar për këtë në Kuran, duke thënë:

وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ۙ

“Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët”. (El Isra:82)