Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

Sakrifica për Dunja dhe Sakrifica për Ahiret

Edukim
Dr. Muhamed Broja|
Sakrifica për Dunja dhe Sakrifica për Ahiret

Teksa e trupoj rrugën mespërmes sheshit të qytetit në këto ditë të nxehta vere, rrugës për të shkuar në xhami, vërej fluksin e madh të njerëzve të cilët e frekuentojnë sheshin e stërmbushur me kafene e pastiqeri të shumta, për tu freskuar me ndonjë pije apo diç të ftohtë.

I shoh shumë prej tregtarëve dhe pronarëve të gastronomisë duke lëvizur andej-këndej, shpeshherë duke mos kthyer kokën drejt kalimtarëve të rastit, por duke u përqëndruar tek klientët dhe biznesin e tyre. Shumë syresh punojnë jashtë orarit apo punojnë në dy ndërrime në ditë duke mos ndier kurrfarë lodhje, ngaqë sezona e verës për ta është sezonë e artë e përfitimit material. Bile, disa më kanë përmendur se shpeshherë nuk kanë kohë të qëndrojnë në shtëpi pranë prindërve, bashkëshorteve e fëmijëve të tyre.

Kjo, nuk është e veçantë vetëm për këtë kategori biznesesh, por e përmenda si shembull për të treguar diçka tjetër.

Të preokupuarit me biznes hallall i cili nuk e shpërqendron njeriun nga Krijuesi i tij dhe obligimet ndaj Tij, nuk mund të themi se është gjë e ndaluar. Bile, nëse njeriu punon dhe synon me këtë shpërblimin tek Allahu i Lartësuar duke pasur qëllim të mjaftohet me këtë pasuri dhe të mos ua shtrin dorën njerëzve të tjerë merr sevap.

Këto pamje të lartpërmendura, ma kujtojnë muajin e ramazanit dhe dhjetë ditët e dhul hixhes të cilat konsiderohen sezona të arta të përfitimit, por të një natyre tjetër, përfitimit të shpërblimeve të mëdha nga Allahu Fuqiplotë.

Natyrisht, ka shumë prej muslimanëve fetarë që mundohen t’i shfrytëzojnë sezonat e adhurimeve në maksimum. Por, tek një pjesë e madhe, shfrytëzimi i këtyre sezonave lë shumë për të dëshiruar. Secili prej nesh duhet të jetë vetëkritik dhe duhet ta krahasojë gjendjen e tij në adhurim ndaj Allahut Fuqiplotë me gjendjen kur është në pyetje interesi material. Sa sakrifikon për dunja e sa për ahiret.

Kjo ma kujton edhe një ngjarje të dhimbshme të realitetit të disa prej muslimanëve, të cilën e kam dëgjuar nga një dijetar i njohur në Arabinë Saudite.

Dijetari tregon: Një ditë dola imam në xhami për namaz të drekës. Lexova Kuran pak më shumë sesa ishte mësuar xhemati, por jo ta kaloja kufirin që e ka përcaktuar Profeti alejhi selam, që nëse e shkel do t’ ua vështirësoja namazin njerëzve.

Pasi e kreva namazin, u ngrit një njeri dhe fillojë ta ngritë zërin e të bërtasë duke më akuzuar se e kisha zgjatur shumë namazin.

U silla me butësi dhe situata u qetësua. Pastaj dolëm prej xhamisë. Ishte ditë tepër e nxehtë vere. Ata të cilën e kanë vizituar Arabinë Saudite gjatë verës mund ta paramendojnë këtë nxehtësi të madhe, ku temperaturat e kalojnë shkallën 45 gradë celzius.

Fillova të bisedoj me të. E pyeta për profesionin apo biznesin e tij. Më tregoi se ka një fermë kuajsh dhe është i shumë i apasionuiar pas tyre. E pyeta disa pyetje rreth kuajve dhe prej pasionit të madh, filloi të më fliste me entuziazëm të paparë. Pasi kaluam më shumë se gjysmë ore në atë gjendje, në vapë të madhe dhe duke na përcëlluar dielli iu drejtova me fjalët: Si nuk e ke frikë Allahun! Je në gjendje të më flasësh për kuajt më shumë se gjysmë ore, duke qëndruar në këmbë, në këtë diell dhe vapë të madhe, ndërsa ankohesh se e zgjata namazin e drekës pak më shumë, kurse xhamia posedonte kondicioner, ishte freskët dhe dielli nuk na përcëllonte.

Shpeshherë njeriu di të gjejë arsye të ndryshme para njerëzve, edhepse në vetveten e tij e din se nuk është ashtu.

“Po, njeriu është dëshmitar i vetvetes. Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta”. (El Kijameh 14-15)

Shkroi: Dr. Muhamed Broja

Mitrovicë, 14.07.2023