Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

Hadith i Trilluar: Plaka e Shkretëtirës

Hadith
Dr. Muhamed Broja|
Hadith i Trilluar: Plaka e Shkretëtirës

Ka një kohë të gjatë që në internet qarkullon një hadith i trilluar. Ky hadith më pastaj është rimuar dhe kthyer në poezi. Këndohet nga disa njerëz si ilahi emocionuese. Teksti në prozë është si vijon:

“Një ditë, një njeri (në njërën prej shkretëtirave që gjenden) afër Mekës e pa dikë duke u përpjekur të vendoste mbi shpinën e tij një deng me dru zjarri. Shkoi drejt tij dhe kur u afrua vërejti se ishte një plakë e moshuar. Më trego shtëpinë tënde sepse unë do ta mbaj mbi supet e mia për ty- i tha të moshuarës. Rruga ishte e gjatë, rëra e nxehtë, dielli përvëlues, shtëpia e saj ishte larg ndërsa barra ishte e rëndë. Kur arriti në shtëpinë e saj, ajo i tha: Bir, nuk kam me çfarë të shpërblej, por do të të jap një këshillë! Kur të kthehesh tek fisi yt në Mekë, do të hasësh në një njeri magjistar, i cili pretendon se është pejgamber. I thonë: Muhamed. Nëse e sheh, mos i beso dhe ruaju nga pasimi i tij! Tha: Pse? Ajo ju përgjigj: Sepse është njeri me moral të keq. Ai tha: Edhe nëse jam Muhamedi, Pejgamberi? Plaka tha: Nëse ti je Muhamedi, atëherë dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se ti je i Dërguari i Zotit."¹

Ky hadith nuk gjendet në asnjë libër të haditheve dhe nuk ka asnjë zinxhir të transmetuesve. Është një hadith i shpikur dhe nuk lejohet rrëfimi ose këndimi i tij si fjalë hyjnore, duke ia atribuar atij të Dërguarit të Allahut, alejhi selam.

Në vazhdim do t’i përmendi disa çështje me rëndësi:

1. Nuk ka dyshim se i Dërguari ynë posedonte moral të lartë, bile ishte në piedestalin e moralit të mirë. Këtë fakt na e sqaroi Allahu me fjalët:

وَإِنَّكَ لَعَلى خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”²

Megjithatë, nuk lejohet të përdoret ky fakt nga dikush si pretekst për të shpikur hadithe apo për t’i treguar dhe transmetuar hadithet e trilluara duke pretenduar se nuk ka gjë të keqe nga kjo përderisa kuptimi është i mirë dhe nijeti i pastër. Dijetarët kanë shkruar libra të tërë në të cilat kanë përmendur ajete dhe hadithe të sakta që tregojnë për virtytet e Pejgamberit alejhi selam e që njihen me emrin: “Esh-Shemail El Muhamedije.” Hadithet e sakta që tregojnë për moralin e të Dërguarit tonë janë të shumta në numër dhe jemi të obliguar t’i flakim hadithet e trilluara.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush gënjen për mua qëllimisht le ta përgatitë ulësen prej zjarri."³

Në një thënie tjetër qëndron: “Kush transmeton nga unë thënie e cila vërehet se është gënjeshtër, konsiderohet njëri prej gënjeshtarëve."⁴

2. Shpikja dhe fabrikimi i haditheve është çështje aktuale edhe në kohën e sotme. Këtë lehtë e vërejmë kur hulumtojmë për një hadith dhe nuk e gjejmë dot tek libra e hadithit. Kjo dëshmon se shpikja e tij ka ndodhur në kohën bashkëkohore. Lexuesi këtë mund ta vërejë kur në fusnotën që shërben për të dëshmuar për burimin e informacionit për hadithin në fjalë nuk sheh ndonjë libër të konsultuar nga unë, por vëren linqe të besueshme të internetit. Kjo vjen si rezultat se këto hadithe janë të shpikura në këtë kohë dhe nuk gjinden në asnjërën prej librave të hadithit. “Nëse ndonjë hadith nuk përmendet në asnjërin prej koleksioneve të haditheve dhe dijetarët nuk janë në dijeni rreth tij konsiderohet hadith i shpifur."⁵

3. Dijetarët kanë konsensus (Ixhma) se është i ndaluar transmetimi i haditheve të trilluara duke ditur paraprakisht se ato janë të tilla, qofshin ato që kanë të bëjnë me dispozitat e fikhut (jurisprudencës), tregime, inkurajim, frikësim dhe të ngjashme, përveç nëse dikush sqaron se ato janë të trilluara. Kushdo që sqaron do të shpërblehet për këtë, sepse ai mohon të pavërtetën nga Suneti i të Dërguarit të Zotit, salallahu alejhi ue selem, e kush i transmeton ato pa i sqaruar, është mëkatar i madh.⁶

1)Shih: https://dorar.net/fake-hadith/654, https://www.youtube.com/watch?v=To9C-yklmIQ .

2)El Kalem 4.

3)Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nr. (110), (1291), (3461), dhe Muslimin në sahihun e tij nr. (3-4). Hadithi është mutevatir.

4)Transmeton Muslimi në parathënien e librit të tij “Sahih” 1/8.

5)Shih: Nasbur-Raje 1/355 dhe Es-Sarimul Munki fq 113.

6) El hadithud-daif ve hukmul ihtixhaxhi bihi fq. 147-148, Tahkikur-ragbeh fi tevdihin-nuhbeh fq 125-1