Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

Biografia e Imam Buhariut (1)

Edukim
Dr. Muhamed Broja|
Biografia e Imam Buhariut (1)

Emri, prejardhja dhe familja e tij

1-Emri i tij:

Ebu Abdullah Muhamed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn Mugire ibn Berdizbeh El-Xhu’fi .

Lindi të premten, më 13 Sheval të vitit 194 hixhri, respektivisht në vitin 810 sipas kalendarit gregorian, pas namazit të xhumasë, në Buhara.

Sot, Buhara është prej qyteteve të njohura të Uzbekistanit.

2-Familja e tij:

a-Ka pasur mospajtime në lidhje me emrin e saktë të stërgjyshit të tij (Berdizbeh).

Thuhej: Berdizbeh dhe thuhej: Bedhdizbeh , që në shqip do të thotë : “bujk” . I përkiste fesë zoroastriane (zjarrputiste). Kishte vdekur si zjarrputist .

b- Djali i Berdizbes -Mugireja u konvertua nga zoroastrizmi në Islam në duart e Jeman El-Xhu’fit, i cili atëbotë ishte mëkëmbës (vali) i qytetit Buhara. Ishte zakon tek disa të konvertuar që ta merrte mbiemrin e atij që e shqiptonte shehadetin para tij. Pra, Buhariu quhet El-Xhu’fi në saje të kësaj ngjarje të konvertimit të stërgjyshit të tij, Mugires, në Islam. Por, në fund të mbiemrit të tij bëhet një sqarim me fjalët: “Mevlahum” që e ka kuptimin se ai nuk i përket fisit “El -Xhu’fi” por është quajtur kështu në bazë të konvertimit .

c- Sa i përket djalit të Mugires, Ibrahimit, nuk ka informacione të sakta rreth tij.

d- Ndërsa, sa i përket babait të Muhamedit, Ismailit:

Ai ka transmetuar nga Hamad bin Zejdi dhe Imam Maliku, siç e ka përmendur këtë vetë Imam Buhariu në librin e tij : “Et-Tarihul Kebir” dhe Ibn Hibani në librin e tij “Eth-Thikat”. Nga ai kanë transmetuar dijetarët irakianë .

- Është transmetuar se në prag të vdekjes kishte thënë: Nuk di diçka në pasurinë time që mund të konsiderohet haram apo gjë e dyshimtë.

Ismaili vdiq ndërsa Muhamedi ishte ende i vogël, kështu që u rrit në prehrin e nënës së tij . Pastaj, bashkë me nënën dhe vëllain më të madh Ahmedin, bënë haxhin kur ishte në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Pas haxhit, Muhamedi ndejti për një kohë në Meke për të kërkuar dituri, kurse nëna dhe vëllau u kthyen mbrapsht në Buhara. Më vonë vëllau i tij ndërroi jetë.

Muhamedi trashëgoi një shumë të hollash nga babai i tij dhe këto ia kishte dhënë dikujt të bënte tregti me to.

- Nëna e tij ishte grua e devotshme. Historianët kanë përmendur prej kerameteve të saj këtë ngjarje:

- Sa ishte i vogël, Muhamedi ishte verbuar dhe një natë prej netëve, nëna e tij e kishte parë në ëndërr profetin Ibrahim alejhi selam, i cili iu kishte drejtuar me fjalët: “Zoti ia ktheu shikimin djalit tënd për shkak të lutjeve të shumta që ke bërë për të”. Kur u zgjua, ndodhi të jetë e vërtetë. Allahu ia kishte kthyer me të vërtetë shikimin djalit të saj .

Fëmijëria e hershme dhe kërkimi i diturisë:

Buhariu tregon: U frymëzova t’i mësoja përmendësh hadithet derisa isha ende në mejtep.

Ishte pyetur me fjalët: Në çfarë moshe ishe atëherë? Dhjetë vjet apo edhe më pak, -u përgjigj.

Pastaj, vazhdon: Pasi që e përfundova mësimin në mejtep, fillova të marr pjesë në ligjëratat e hoxhës tim, Dahiliut. Një ditë prej ditësh, hoxha po ua lexonte njerëzve një hadith duke thënë: “Transmeton Sufjani nga Ebu Zubejri, e ky nga Ibrahimi.

Iu drejtova me fjalët: Ebu Zubejri nuk ka transmetuar nga Ibrahimi.

Pasi më qortoi, i thashë të kthehej tek origjinali, nëse e ka. Atëherë, ai hyri dhe e shikoi, pastaj u kthye dhe më tha: Si është në të vërtetë, o djalosh?

I thashë: Është Zubejr (e jo Ebu Zubejr), pra Zubejr ibn Adij dhe ky njeri ka transmetuar nga Ibrahimi. E mori penën dhe e korrigjoi librin e tij dhe më tha: Të vërtetën e ke thënë .

Një person e pyeti: Sa vjeç ishe kur ia korrigjove gabimin? Isha njëmbëdhjetë vjeç, -u përgjigj.

Pastaj, vazhdon me fjalët: Kur arrita moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, veçse kisha mësuar përmendësh librat e Ibn Mubarekut, Vekiut dhe ato të nxënësve të Ebu Hanifes .

(p.s. Fusnotat dhe literaturën e konsultuar do t’i përmendi në kopjen fizike, me lejen e Allahut).