Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

A është toka e rrumbullakët?

Akide
Dr. Muhamed Broja|
A është toka e rrumbullakët?

Konsensusi i dijetarëve muslimanë-në veçanti i dijetarëve të mëhershëm-se toka ka formën e rrumbullakët (1) (e jo të rrafshët).

Ibn Tejmije ka thënë (Mexhmul fetava 25/195): "Imam Ebul Husejn Ahmed ibn Xhafer ibnul Munadi prej dijetarëve të njohur rreth ethereve dhe librave të mëdhenj në shkenca të ndryshme fetare, i cili konsiderohet prej gjeneratës së dytë të pasuesve të Imam Ahmedit (prej hoxhallarëve të tij ka qenë Ebu Davudi nxënësi i Imam Ahmedit dhe njëkohësisht autor i librit es-Sunen) ka thënë: "Nuk ka mospajtim ndërmjet dijetarëve se qielli është sikurse topi (i rrumbullakët) , ...dhe poashtu dijetarët kanë ixhma (konsensus) se toka me të gjitha lëvizjet e saj , duke përfshirë këtu tokën dhe detin (pjesën jo ujore dhe pjesën ujore ) është sikurse topi (i rrumbullakët)".


1- Dijetari Ibn Hazm i cili ka jetuar në shekullin e katërt të hixhretit, në kohën e tij kur masa e gjerë pretendonte se toka nuk e ka formën e rrumbullakët, e përkrahte mendimin se ajo është e rrumbullakët, dhe këtë ua atribuonte dijetarëve të mëdhenj.
Ibn Hazmi thotë: “Dijetarët islam thonë se argumentet dëshmojnë se toka është e rrumbullakët, ndërsa masa e gjerë pretendon diçka tjetër. Përgjigja jonë ndaj kësaj është: Asnjëri prej dijetarëve musliman që e meriton epitetin e elitarit (imamit) në dije nuk e ka mohuar faktin se toka është e rrumbullakët. Nuk përcillet nga asnjëri prej tyre as një fjali e vetme ta ketë kundërshtuar këtë fakt. Bile, argumentet nga Kurani dhe Suneti dëshmojnë se toka është e rrumbullakët” (2).


2- Ibn Tejmije ka thënë: “(Dijetarët) janë unanim se toka e ka formën e rrumbullakët” (3).


3- Ibn Xhevzi ka thënë: “Dijetarët kanë konsensus se toka është e rrumbullakët (4).”


Shumë prej dijetarëve muslimanë kanë pohuar se toka e ka formën e rrumbullakët.

Prej tyre: Ibn Kajimi (5) , Dhehebiu (6), Kalkashendi (7), Gazaliu (8), Raziu (9), Ebu Hajan El Endelusi (10), Ibn Nefisi (11), Ibn Hardadhebe (12), Ebu Muhamed el Xhuvejni (babai i Ebul Meali El Xhuvejnit) (13), Mes’udiu (14).


Marrë nga libri: “Mevsuatu Mehasinil Islam ve Reddu Shubuhatil-liam 12/410-412.
Ibn Kajimi ka thënë: “ Allahu ka thënë: “(A nuk e shohin) edhe tokën se si është shtrirë” (El Gashije 20). Ky ajet nuk e mohon faktin se toka është e rrumbullakët, ajo në realitet është e rrumbullakët, por ka sipërfaqe mbi të cilën qëndrojnë gjallesat” (15).


Shejh Ibn Uthejmini ka thënë: “"dhe tokën se si është shtrirë?!"(El Gashije:20) shikoni se si Zoti e ka shtrirë këtë Tokë të gjerë, duke e bërë të sheshtë, në mënyrë që njerëzit të mund të jetojnë në të duke e mbjellë, duke ndërtuar e shumëçka tjetër. Çfarë mund të themi sikur ajo të mos ishte e sheshtë, por si malet, mbi të cilat duhet të ngjitemi? Natyrisht që do të ishte e vështirë dhe njerëzit nuk do të mund të jetonin në të. Mirëpo Zoti e ka bërë të sheshtë e të shtrirë. Nëpërmjet këtij vargu disa dijetarë kanë argumentuar se Toka nuk ka formë të rrumbullakët, por të sheshtë shtrirë. Megjithatë, kjo formë argumentimi nuk është e qëndrueshme, sepse kemi vargje të tjera të cilat tregojnë se Toka ka formë të rrumbullakët. Edhe realiteti e dëshmon këtë. Allahu thotë: "Mbështjell ditën me natën dhe natën me ditën." (Ez-Zumer:5). Siç dihet, nata dhe dita ndjekin njëra-tjetrën në Tokë. Nëse ato e mbështjellin Tokën, atëherë ajo duhet të ketë një formë të rrumbullakët. Allahu i Madhërishëm thotë: "Kur të çahet qielli, duke iu bindur (plotësisht) Zotit të vet, siç e ka për detyrë. Dhe kur Toka të shtrihet e të nxjerrë ato që ka brenda duke u zbrazur." (El-Inshkak:1-4)
Për pjesën "Dhe kur Toka të shtrihet" është përcjellë në hadith se Ditën e Kiametit do të shtrihet ashtu siç zgjatet lëkura, derisa të mos ketë më male, lugina, lisa, ndërtime etj. Pra, toka do të bëhet një fushë e shkretë dhe nuk do të duken më as luginat e as brigjet. Kështu, fjalët e Tij: "Kur të çahet qielli", nënkuptojnë se qielli nuk do të pësojë çarje deri në Ditën e Kiametit. Aktualisht ai nuk është i çarë. Prandaj, pjesa tjetër: "dhe kur Toka të shtrihet e të nxjerrë ato që ka brenda duke u zbrazur", ka kuptimin se ajo nuk është e zgjatur, por e rrumbullakët” (16).

1) Qëllimi me përmendjen e mendimeve të dijetarëve islam është të dëshmohet se toka nuk e ka formën e rrafshët dhe të sheshtë, edhe pse forma më e saktë e Tokës është elipsoide. Ajo nuk është një elipsoid I përkryer, por ka formën e cila quhet gjeoid. Në pole është pak e shtypur kurse në ekuator është pak e fryer. Gjeografia për klasën e 6-të, fq 12.
2) El Fisal: Matlebu bejani kurevijetil erd 2/78.
3) Mexhmu’ul fetava 5/150.
4) El Muntedham fi Tarihil Umemi vel Muluk 1/184.
5) Et-tibjan fi Aksamil Kuran fq 447.
6) Muhtesar el Uluv fq 73.
7) Subhul A’sha 1/408.
8) Mi’jarur ilm fq 2.
9) Tefsiri I Raziut (Mefatihul Gajb), 2/491. Komentimi I ajetit nr. 164 I sures El Bekare.
10) Tefsir El Bahrul Muhit 7/80.
11) Sherh Kitab Teshrih Kanun Ibn Sina fq 112.
12) Parathënia e librit : El Mesalik vel Memalik.
13) Risaletun fi ithbat el-Istivai vel Fevkije 1/81.
14) Muruxhush-Dheheb 1/253.
15) Et Tibjan fi Aksamil Kuran fq 447.
16) Komentar i xhzit Amme fq 160-161.